Në Gjermani priten sivjet ndryshime të shumta të ligjeve për të huajt dhe për viza pune. Fjala është për gjithsej tetë ligje për të huajt. Në vitin 2023 do të futet në fuqi ligji që lehtëson bashkimet familjare për punëtoret e kualifikuar. Ky ligj është miratuar në dhjetor të vitit 2022 dhe sipas tij, familjarët e punëtorëve të kualifikuar në të ardhmen nuk do të kenë nevojë të dëshmojnë njohjen e gjuhës gjermane për bashkime familjare. Për punëtorët pa kualifikime nuk ka ende ndonjë ndryshim, pra familjarët e tyre edhe më tej duhet të kenë testet A1 për bashkim familjar.
Lehtësime për punëtorët e kualifikuar do të ketë edhe sa i përket punësimit në Gjermani, sepse pritet të ndryshojë ligji për njohjen e diplomave, kështu që diplomat do të njihen pas ardhjes në Gjermani dhe jo para ardhjes. Pritet të përshpejtohet edhe puna e ambasadave për dhënien e vizave të punës, por deri tani nuk ka ndryshime sa i përket vizave të punës për punëtorët pa kualifikime, pra nuk ka ndryshime për të ashtuquajturën Rregullore për Ballkanin Perëndimor. Personat që duan vizë pune sipas kësaj rregullore edhe më tej duhet të regjistrohen në ambasadat gjermane dhe të shpresojnë se do të kenë fat për të marrë një vizë pune.