Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se pjesëtarë të tij nga Kompania Bullgare e Manovrimit, kanë zhvilluar patrullime në komunën e Leposaviqit.
Pjesëtarët e patrullues janë nga Batalioni i 2-të i Forcave Rezervë Operacionale Shumëkombëshe të misionit të KFOR-it, e siç u tha, këto patrullime janë të rregullta.
“Kjo është pjesë dhe pako përbërëse e përpjekjeve të përditshme të kontingjenteve të KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin e shkurtër të KFOR-it.
Ndërkaq, është njoftuar po ashtu se ushtarët polakë të caktuar në Komandën Rajonale në Lindje të misionit të KFOR-it kanë kryer patrulla edhe përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
“Këto aktivitete ndihmojnë në promovimin e sigurisë për të gjitha komunitetet lokale dhe për të konsoliduar stabilitetin rajonal”, ka thënë KFOR-i në njoftim.