Knaus: Disa shtete po përgatiten të bllokojnë pranimin e Kosovës në KiE

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).

Përmes një postimi në X, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ku thuhet se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

Cani Travel

“Aktualisht, disa qeveri të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë atë të Gjermanisë dhe Francës, po përgatiten ta bllokojnë një votim në maj për pranimin e Kosovës, duke injoruar rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të dhënë në prill”, shkroi Knaus.

Sipas tij, një bllokim i tillë vjen pas një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Kjo pason një fushatë të presidentit të Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, përfshirë edhe apelin e tij personal ndaj presidentit [të Francës, Emmanuel] Macron, që të mos lejojë votimin – dhe një zotim serb për të blerë 12 avionë luftarakë francezë Rafale”, ka shkruar Knaus.