Kori Siparantum nga Peja ka njoftuar se është përzgjedhur për t`iu bashkuar Akademisë së Këndimit të Vjenës në kuadër të koncerteve të Vitit të Ri në Austri.
Artistët kosovarë do të performojnë në një nga ngjarjet elitare të muzikës klasike, duke shënuar kështu festimin e Vitit të Ri nga 28 dhjetor 2023 deri më 2 janar 2024.
“Kori Siparantum do të marrë pjesë si interpretues të ftuar në interpretimin tradicional të Simfonisë së 9-të të Beethoven, një moment kryesor i festimeve të Vitit të Ri në Wiener Konzerthaus për 26 vitet e fundit. Këto koncerte, të drejtuara nga i nderuari Omer Meir Wellber, premtojnë të jenë përvoja të jashtëzakonshme muzikore”, thuhet në njoftimin e Korit Siparantum.
Koristët do të ngjiten në skenë së bashku me Orkestren Simfonike të Vienës dhe Korin Wiener Singakademie.