„Vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian, jam e bindur për këtë, dhe këtë po e dëshmoni për çdo ditë. Evropa nuk është e plotë pa Kosovën.“ Kështu deklaroi sot (27.10.2022) në Prishtinë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, ajo u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani. Von der Leyen theksoi se janë përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe se se Kosova ka shënuar progres të madh dhe përkushtim në rrugëtimin evropian. „ Detyra jonë është të bindim tërë Këshillin Evropian “, shtoi ajo. Presidentja e Komisionit Evropian po viziton Kosovën vetëm pak ditë para skadimit të afatit për konvertimin e targave të makinave serbe më 31.tetor. Shumë politikanë ndërkombëtar kërkuan që ky afat të shtyhet edhe për 10 muaj. Lidhur me këtë çështje, Von der Leyen tha se „rregullat duhet të respektohen në çdo shtet. Nëse ka periudhë transitore, ajo duhet të jetë përfshirëse dhe të shkojë ashtu siç duhet”, theksoi ajo. Pas Prishtinës, presidentja e Komisionit Evropian shkoi në Beograd, ku do të takohet me zyrtarët e Serbisë.