Kosova ka vendosur sot që të fillojë me zbatimin e planit të saj për ndryshimin e targave. Vendimi do të aplikohet në tri faza, së pari qortime, pastaj dënime dhe në fund legalizimin e të gjitha targave ilegale. SHBA dhe BE janë shprehur të zhgënjyera me këtë vendim, sepse ato kanë kërkuar më parë që vendimi të shtyhet për 10 muaj të tjerë. Ndërsa Serbia ka reaguar me nevrozizëm.
Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka deklaruar se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, ushtria e Serbisë është në gatishmëri dhe se niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur për shkak të situatës në Kosovë. Vuçeviq tha se Serbia është shtet serioz dhe për këtë arsye askush nuk duhet të bëjë “lojëra lufte”. Ai paralajmëroi se kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se është e dobët apo frikacake, sepse ushtria e saj është shumë herë më e fortë sesa ishte më parë, por ajo vepron sipas urdhrave të kreut të shtetit dhe presidentit.
“Ne nuk mund të jemi të relaksuar, por ne jemi për dialog”, theksoi ai. „Serbia është për dialog. Më më mirë të negociosh një mijë ditë, sesa të jesh në luftë një ditë”, tha Vuçeviq.
Në anën tjetër, analisti serb, Dushan Janjq pohon se „Serbia nuk është e gatshme për dialog dhe se nuk ka një ekip ekspertësh që merret me këtë çështje.“ Ai thekson se në Prishtinë ekzistojnë institucionet, një ekip negociator, një këshill ekspertësh, është e qartë se qeveria e Kosovës po merret me negociata me Beogradin. Ata i dinë rregullat. Janjiq shton se Aleksandar Vuçiq është me siguri negociatori kryesor dhe i vetëm i Serbisë në këto bisedime dhe shtron pyetjen se cili është qëndrimi i Qeverisë së Serbisë për këtë. „Të gjitha qeveritë që nga Koshtunica e deri sot jetojnë në iluzionin e tyre ideologjik dhe e mashtrojnë popullin se Kosova është pjesë e Serbisë. Po, në hartë dhe në aspektin formalo juridik, por në realitet Kosova është një territor nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës”, tha analisti serb Dushan Janjiq.