Qeveria e Kosovës ka vendosur të lejojë futjen e mallrave nga Serbia në Kosovë në pikën kufitare të Merdares, e cila është edhe pika kryesore kufitare mes dy vendeve. Ky vendim u mor pas kërcënimeve të shumta të Gjermanisë se Kosova do të largohet nga Procesi i Berlinit, nëse nuk pranon parimet e CEFTA-s, që nënkuptojnë edhe qarkullimin e lirë të mallrave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konfirmoi këtë lajm, duke thënë se: „Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”.