Kosova e ka pagën më të vogël minimale në Evropë, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale në kontinentin e vjetër, shkruajnë mediat e Kosovës. Paga minimale e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Ndërkaq, paga minimale bruto në Luksemburg është 2312 euro.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011.
Në mesin e vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale. Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, ose 250 euro neto, për të gjithë të punësuarit, pra në sektor publik e privat. Por, ligji në fjalë ende nuk ka hyrë në fuqi.
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, të publikuar në muajin prill, janë më shumë se 100 mijë punëtorë në Kosovë që marrin pagë minimale. Mbi 94 për qind e tyre janë të punësuar në sektorin privat.