Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi javën e kaluar Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ky projektligj sjell disa risi për mënyrën e votimit në diasporë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konsideron se me projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës po i jepet fund një padrejtësie të madhe që i është bërë ndër vite mërgatës.
“Ligji i ri për zgjedhjet do t’i japë fund padrejtësisë së gjatë që u është bërë të gjithë mërgimtarëve shtetasve të Kosovës. Lidhja e tyre e fuqishme me vendin e vet, kontributi i tyre i pamohueshëm në çdo kohë e në çdo rrethanë e bënë edhe më të domosdoshme nevojën që ata të jenë sa më shumë pjesë aktive e vendimmarrjes në atdheun e tyre”, tha kryeministri.
“Projektligji i ri e parasheh edhe regjistrimin online përmes një platforme që do ta krijojë KQZ në mënyrë që votuesit nga mërgata të mos kenë nevojë të dërgojnë dokumente të shumta qoftë përmes e-mail apo përmes postës. Me platformën e regjistrimit online synohet të zvogëlohen barrierat teknike e procedurale, por edhe të ulet kostoja dhe të rritet efikasiteti”, tha Kurti. Ai shtoi se për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovës, e drejta e votës iu takon vetëm atyre që janë të pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës theksoi se sipas ligj të ri mërgata do t’i ketë tri mënyra të votimit. E para është votimi fizikisht në ambasada e konsullata, e dyta votimi i dërguar me postë të brendshme në adresë të ambasadës dhe e treta mënyra e vjetër duke i dërguar ato në adresë të KQZ.