„Kosova në prag të rikthimit të mallrave nga Serbia, pas presionit të Gjermanisë“

“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

Cani Travel

Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Bearbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

“Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

Përmes një postimi në platformën X,  Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

(REL)