25 për qind e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga pjesa veriore e Mitrovicës. Këtë e konfirmoi sot zëvendës drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
„Pas pranimit të vendimit të qeverisë nga ana e menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ka filluar të implementohet dje dhe ka përfundur sot“, tha Elshani.
Vendimi për tërheqjen e policisë është pjesë e Marrëveshjes së Bratisllavës për shtensionimin e situatës në veri të vendit që është arritur tre ditë më parë mes Qeverisë së Kosovës dhe BE-së.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka mirëpritur pajtimin mes bllokut evropian dhe Kosovës për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“Ne presim që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë dhe të vazhdojë përparimin në këtë drejtim”, shkroi Borrell në Twitter, duke shtuar se do të vazhdojë puna me palët në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve.