Sot në Kosovë fillon shënimi i 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Në ditën e sotme bëhen 26 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, që bashkë me familjen e tij dhe Jasharët e tjerë e mbrojtën Kosovën nga okupatori serb. Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje. Kombi shqiptar e rikujton çdo vit me respekt dhe admirim këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.
Edhe sivjet Qeveria e Kosovës ka organizuar aktivitete të shumta për shënimin e Epopesë së UÇK-së. Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë sot solemne me rastin e përvjetorit të 26-të të rënies heroike të Komandantit Legjendar.
Epopeja e UÇK-së do të shënohet me manifestime të shumta edhe në vende të shumta të botës, ku jetojnë shqiptarët.