Sot është bërë lansimi i “Dritares për Investime të Diasporës” organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore në partneritet me projektin e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) për Promovim të Investimeve dhe Qasje në Financa.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se lansimi i ‘Dritares për Investime të Diasporës’ është hap që dëshmon për krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës në Kosovë. Kurti tha se ka mërgimtarë që po kthehen e investojnë në Kosovë.
„Dritarja për Investime e lehtëson financimin e projekteve ta cilat bizneseve të mërgatës tonë ia mundëson që të zgjerohen edhe në Kosovë. E tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Në Kosovë ka vend edhe për më shumë popullësi, më shumë punë. Me investime e përmirësimin e kushteve të jetesës, nuk mbesin edhe shumë arsye të forta që bashkëatdhetarët ta kenë cilësimin mërgimtar. Me kushte të ngjashme e ndoshta më të mira, mund të kthehen e të bëjnë biznes. Ne i quajmë mërgimtarë sepse dëshirojmë që ata të kthehen“, tha shefi i qeverisë, njofton RTKlive.