Ministria e Punëve të Brendshme lansoi sot fushatën ndërgjegjësuese kundër të shtënave festive “Festo me zemër, jo me armë”.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherësh koordinator nacional për kontrollin e armëve të vogla, të lehta dhe eksplozivit.
“Ne dëshirojmë që kjo fushatë kundër përdorimit të armëve të zgjasë gjithë vitin. Jemi mbledhë këtu për ta hapur fushatën vetëdijesuese duke pasur bindje që vetëm bashkë mund t’ia dalim për rrezikun kundër të shtënave festive. Misioni ynë është që të avancojmë nivelin e sigurisë në vendin tonë. Statistikat tregojnë që armët pa leje janë shkaktarë të vrasjeve. Në baza vjetore, Policia e Kosovës konfiskon 1500 lloje të ndryshme të armëve pa leje”, tha ai.
Në Republikën e Kosovës është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj gjuajtja me armë zjarri, përveç në vende të caktuara dhe licencuara për gjuajtje (poligonet e gjuajtjes).
E shtëna me armë zjarri në ahengje dhe festime është vepër penale dhe është e ndëshkueshme me ligj.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë vitit 2023 (qershor-gusht) ka pasur rritje të rasteve të përdorimit të armëve gjatë ahengjeve familjare për 17.60% të rasteve ose 25 raste më shumë së vitin e kaluar.
Gjatë kësaj periudhë janë regjistruar gjithsej 142 raste në Policinë e Kosovës për gjuajtje me armë të zjarrit në ahengje/festa.