Dje, në festën e Kurban Bajramit një imam në Kosovë i ka dhuruar një familje katolike në nevojë një shtëpi të re, njoftojnë mediat e Kosovës.
Fjala është për familjen e Prenk Nrecës, 41-vjeçar, i cili jetonte në shtëpinë në Pjetërshan me pesë fëmijë të moshave nga 6 deri 11 vjet. Nreca është i papunë dhe kryesisht bazohet në punë sporadike apo në bamirësi të njerëzve.
Në Krishtlindjen e fundit, imami Abdurrahman Bejtullahu pa nëpër lajme kushtet e rënda në të cilat jetonte familja Nreca dhe vendosi të mblidhte fonde për t’ia ndërtuar familjes një shtëpi të re. Bejtullahu thotë se kur dikush është në nevojë, atëherë feja nuk është ndonjë gjë shqetësuese.
Një organizatë jo-qeveritare myslimane mblodhi afro 25 mijë euro nga familjet myslimane, bizneset lokale dhe nga diaspora. Një kompani që merret me ndërtime vendosi të punonte falas. Ndërkohë komuna përkrah organizatën me nga 5000 euro për çdo shtëpi që ndërton për të varfrit.
Prenk Nreca tha se shtëpia e re është gati e përfunduar dhe e falëndëroi imamin, Abdurrahman Bejtullahu.
Për këtë lajm të mirë kanë raportuar gjerësisht edhe mediat ndërkombëtare.