Kosovë: Vazhdon trendi i largimit të mjekëve

Prej fillimit të këtij viti,  20 mjekë e kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Odës së Mjekëve të Kosovës për largim drejt shteteve perëndimore, kryesisht në Gjermani, njoftojnë mediat e Kosovës.

Gjatë vitit 2023, nga Kosova janë larguar rreth 150 mjekë. Arsyet kryesore të largimit janë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

Cani Travel

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës kanë treguar se trendi i ikjes se mjekëve është shqetësues, sipas tyre brenda dy vjetësh do të vërehet mungesa e tyre në nivelin terciar.

“Këto një muaj e gjysmë të këtij viti janë 20 kolegë tanë të cilët vetëm se kanë marrë dokumentacionin e duhur që të nënshkruajnë kontrata me shtetet e Perëndimit, në këtë rast shumica në Gjermani. Disa prej tyre janë në ditët e fundit apo javët e fundit në largim. Trendi është i njëjtë si vitet e kaluara që fatkeqësisht mund të them që brenda dy viteve do të ndihet mungesa e tyre në nivelin terciar, në nivelin primar vetëm se është duke u ndier”, deklaroi kryetari i Odës së mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Sipas Odës së Mjekëve, krejt kjo po behet për shkak të keq menaxhimit dhe politikës së gabuar.

“Është një problem menaxherial, gjithashtu edhe politik. Ne i kemi afër 440 mjekë të papunë, të cilët presin të punësohen, sistemi primar nuk e bënë atë që duhet bërë t’i pranonte ata në punë e t’i shpërndanë ata. Momentalisht mjeku është në pozitë të keqe, nuk ka vende pune, janë në presion të largohen nga Kosova, nga vetvetja flas, nuk shohin një perspektivë”, thotë Sejdiu.