Kryeministri Albin Kurti doli sot me një propozim për situatën në Veri duke thënë se është plotësisht i përkushtuar dhe angazhuar për depërshkallëzim të situatës. Ai tha se ua ka prezantuar një plan pesëpikësh Përfaqësuesit të Lartë të BE’së Josep Borell dhe vendeve anëtare të QUINT’it dhe tani është duke e pritur përgjigjen e tyre. Menjëherë më pas, në Veri u arrestua një pjesëtar i Mbrotjes Civile serbe.
Kryeministri Albin Kurti bëri publike se dje ia ka dërguar një propozim shefit të diplomacisë europiane Josep Borell pesë pika për depërshkallëzimin e situatës në Veri.
1.Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në 4 komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin.
2. Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe të ndalohet secili veprim kriminal ndaj institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të Policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës, të zvogëlohet, bazuar në rrethanat.
3.Policia e Kosovës dhe KFOR-i/EULEX-i do t’i kryejnë vlerësimet e përbashkëta të sigurisë, çdo 15 ditë, në mënyrë që të garantojnë një mjedis të sigurt në sundimin e ligjit.
4.Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar.
5.Kosova dhe Serbia të kthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli. BE-ja të sigurojë një plan renditjeje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë (27 shkurt) dhe Aneksit të Zbatimit të saj (18 mars). Udhëheqësit e të dy shteteve të takohen në një dialog të nivelit të lartë në Bruksel gjatë kësaj jave. Shpresoj se do të jeni në gjendje t’i përgjigjeni me optimizëm kësaj oferte sa më shpejt që të mundeni.
Nsërsa emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kanë kërkuar qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këtë pjesë dhe kthimi në tavolinën e dialogut. Këto kërkesa nënkuptojnë tërheqjen e pjesëtarëve të njësisë speciale.
Menjëheë pas konferencës së Kryeministrit, në Mitrovicën e Veriut u krye një arrestim nga pjesëtarët e njësisë speciale të Kosovës.
Ministri Sveçla tha se personi i arrestuar është një prej drejtuesve të Mbrojtjes Civile që ka organizuar sulmet. Aktualisht nuk ka ndonjë reagim ndërkombëtar ndaj këtij arrestimi. Përfaqësues diplomatik të QUINT’it që takuan sot Kryeministrin Kurti për të mësuar më shumë rreth planit të s’kanë bërë ndonjë deklaratë.