Kryeministri Kurti takon mërgimtarët në Strasburg

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka përfunduar vizitën e tij dyditore në Strasburg të Francës, me një takim me mërgimtarët, të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës atje. Në takim ishin mërgimtarët nga Franca, Gjermania, Zvicra, Belgjika dhe vende të tjera, njofton albinfo.ch.

Kryeministri Kurti foli për punën dhe arritjet e Qeverisë gjatë dy viteve të fundit, por foli edhe për raportet e Qeverisë ndaj mërgatës. Ai tha se mërgata ka një vend të veçantë dhe gëzon vëmendjen e plotë të autoriteteve në Kosovë.

Cani Travel

Këtë e kemi reflektuar edhe përmes programeve të “Dialogut me Mërgatën” dhe „ai i „Diplomacisë qytetare’’, tek puna për komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore, i cili po merret me realizimin e suksesshëm të votimit nga jashtë vendit, e ligjit dhe strategjisë për angazhimin e mërgatës​.

Kryeministri Kurti përmendi dhe krijimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vjetët e fundit në Kosovë kanë hyrë € 4.54 miliardë si remitenca dhe € 1.54 miliardë si investime të huaja direkte. Por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit. Atë e shohim dhe si një burim shumë të rëndësishëm të dijes dhe përvojës për Kosovën, e cila mund të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve e të organizatave.

Përvoja dhe njohuritë që mërgata i sjell në atdhe, janë një burim jashtëzakonshëm i pasurisë dhe mund të ndihmojnë në ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë.

“Gjatë këtyre dy viteve, si Qeveri kemi shtuar dyert për bashkëpunim me mërgatën. Një shembull i tillë është bashkëpunimi në sektorin e arsimit dual me Fondacionin Besa me bazë në Gjermani, apo partneriteti me Shoqatën e Inxhinierëve në Zvicër me Ministrinë e Ekonomisë. E Dyert tona të bashkëpunimit mbeten gjithmonë të hapura për mërgatën dhe e admirojmë vullnetin e tyre për të bërë gjithmonë më shumë”, tha ai.

Kryeministri Kurti i falënderoi për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij.