Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në takimin e Brukselit, të thirrur nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur rrugëdalje nga kriza aktuale, deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
Albin Kurti tha se sot, më 22 qershor do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Borrelli, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. „Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se do të shkojë në Bruksel për të biseduar me Borrelin, por jo me Kurtin. „Biseda me Kurtin nuk ka kuptim“, deklaroi Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.
Prandaj, mbetet e paqartë si do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Burimet diplomatike përmendin mundësinë që Kurti dhe Vuçiq të mos kenë takim direkt, por vetëm takime bilaterale me Borrellin.