Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të takohet të mërkurën (më 04.05.2022) në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në takime të ndara të kancelarit gjerman me mysafirët nga Prishtina dhe Beogradi do të bëhet fjalë për qëndrimet ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Gjermanisë dhe këtyre dy vendeve. Me ftesën e kancelarit Scholz , nesër në Berlin vjen edhe ndërmjetësuesi i BE për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak, i cili do të ketë një takim të përbashkët me kryeministrin Kurti dhe presidenit Vuçiq. Në prag të vizitës në Berlin, presidenit serb tha se „ai ka frikë“ nga këto bisedime dhe se ato nuk do të jenë të lehta. Serbia konsiderohej tradicionalisht si aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë. Mirëpo, pas fillimit të luftës në Ukrainë, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe nga Serbia pritet tani një riorentim themelor në qëndrimin ndaj Rusisë. Në anën tjetër, edhe në Serbi tashmë thuhet haptazi se „Putini i fut thikën në shpinë serbëve”, siç shkruan gazeta „Srpski Telegraf” ose se „Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës së tij” (gazeta „Blic“). Në këtë kontekst përmenden vlerësimet e Vladimir Putin, i cili i arsyeton pretendimet e tij për Krimenë dhe Ukrainën lindore duke thënë se Perëndimi e kishte ndarë Republikën e sotme të Kosovës nga shteti serb dhe e kishte njohur atë sipas ligjit ndërkombëtar. Sipas mendimit të tij, kjo do të thotë se Kosova mund të jetë po aq e pavarur sa edhe territoret ukrainase të pretenduara nga Rusia.