Gjatë qëndrimit të tij në Konferencën e Sigurisë në Munih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua edhe me përfaqësues të bizneseve gjermane.
Kryeministri Kurti i njoftoi ata për planet dhe potencialin e investimeve në Kosovë në shumë fusha. Ndër to, u theksua sektori i energjisë, përkatësisht energjisë së ripërtëritshme, ku së fundmi u përmbyll me sukses procesi i ofertimit për ankandin e parë solar 100 MW dhe së shpejti pritet të hapet thirrja për ankandin tjetër, të erës, me kapacitet 150 MW, thuhet në njoftimin nga ky takim.
Kryeministri foli edhe për fillimin e zbatimit të arsimit dual në 21 shkolla profesionale, në 14 komuna me qëllim të ndërlidhjes së arsimit me tregun e punës, si dhe për Fondin Sovran, i cili do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti i ftoi kompanitë gjermane që ta vizitojnë Kosovën dhe të konsiderojnë mundësitë që ofron ajo për investime.