Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka shpallur të përfunduar aksionin e sotëm policor në veri të Kosovës. Sipas tij aksioni ka përfunduar me sukses, ndërsa theksoi se „Kosova nuk do t’i tolerojë dhe do t’i luftojë kontrabandën dhe grupet kriminale“.
Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se “Lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe duhet të jetë e kampromis.“ Siupas saj, „Policia e Kosovës dhe Autoritetet e Doganave ndërmorrën një aksion legjitim kundër grupeve të organizuara kriminale të përfshira në kontrabandë, në disa lokacione në Republikën e Kosovës. Krimi s’ka etnitet dhe duke e lidhur në mënyrë false aksionin e sotëm me grupe etnike është thellësisht e papërgjegjshme dhe do të shërbejë vetëm për rritjen e tensioneve“. Presidentja e Kosovës pohon se „kushdo që është kundër këtij aksioni është duke në anën e krimit të organizuar dhe është kundër vlerave të sundimit të ligjit të BE-së”.
Aksioni në veri
Forcat policore të Kosovës kanë ndërhyrë sot në mëngjes në veri të Mitrovicës dhe kanë zvilluar aksionin e tyre kundër kontrabandës në disa vende. Gjatë aksioneve ka pasur edhe dhunë dhe sulme. Deri tani njoftohet edhe për një serb të plagosur me armë zjarri, e në rrugë janë parë edhe gëzhoja pas përdorimit të armëve. Në veri janë mbledhur grupe relativisht të mëdha njerëzish, që kanë sulmuar forcat policore dhe kanë djegur të paktën një makinë. Menjëherë është deklaruar edhe ministri serb në qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq i cili tha se „serbët do të mbrohen me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion“ dhe se „kjo është një luftë për jetë a vdekje“.
Lufta „për jetë apo vdekje“
Më pas Rakiqi dhe një delegacion serbësh kanë shkuar në Rashkë ku janë takuar me presidentin serb Vuçiq. Presidenti serb tha pas takimit se e ka telefonuar edhe Lajçakun, dhe i ka kërkuar që t’i frenojë forcat e Kosovës, apo do t’i frenojë ai.
“Më thanë se kanë punuar dhe i kanë detyruar ata të tërhiqen. Sipas shërbimeve tona, për atë që bërë sot ata kanë pasur mbështetjen e së paku një shteti, e ky nuk është një vend i BE-së”, tha Vuçiq por nuk shpjegoi cili vend ishte ai.
Vuçiq tha: “Sot e telefonova Lajçakun dhe ia thash të gjitha, ndoshta e humba durimin,”, por Vuçiq nuk shpjegoi se çfarë janë „ato të gjitha“, që i ka thënë Lajçakut.
Sipas tij, kjo është periudhë e vështirë, sepse disa do të synojnë të zhduket Republika Srpska para pranverës, e kjo do të bjerë në shpinë të Serbisë. Po ashtu ka shtuar se Kosova ka përkrahjen e gjithë QUINT-it.
“SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, i gjithë QUINT-i, duhet të kuptoni të gjithë, se nuk do të heqin dorë nga Kosova e pavarur. Asnjë zgjidhje për Kosovën nuk është e mirë. Por pyetja është, se cili do të ishte reagimi ynë më i mirë“.
Vuçiqi tha pas takimit me delegacionin e serbëve: „Nuk jam budalla të mos shoh se ishin emocionet tuaja, sido që të jetë Serbia dhe Beogradi janë me ju.“