Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti dje Arianit Besirin, i cili u zgjodh ditë më parë kryetar i Bashkisë Morbach në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë. Arianiti është shqiptari i parë në historinë e shtetit gjerman që zgjedhet kryetari i bashkisë.
Ne faqen e tij në Facebook, Kurti shkruan:
„Shqiptari nga Mitrovica, Arianit Besiri, ishte 1-vjeçar kur ai dhe familja e tij u detyruan të largohen nga Kosova dhe gjetën strehim si refugjatë të luftës në Gjermani. Tash ai ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach, në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë në zgjedhjet lokale të mbajtura atje, për më tepër si socialdemokrat. Kur e kuptova që është në Kosovë, nuk kisha se si mos ta takoja e ta mirëprisja në kryeministri, për ta uruar dhe për ta siguruar për mbështetjen dhe bashkëpunimin“, shkruan kryeministri i Kosovës.
Kurti shtoi se „mërgata jonë tashmë përveçse e integruar mirë në vendet ku banojnë e zhvillojnë veprimtaritë e tyre, po japin edhe një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën shoqërore, politike e ekonomike.“