Lajçak: Arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi!

Lajçak: Arrihet marrëveshja Kosovë - Serbi!
Lajçak: Arrihet marrëveshja Kosovë - Serbi!

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjet kontestuese rreth targave, që ka shkaktur tensione të mëdha kohët e fundit në veri të Kosovës. Ky lajm bazohet tek një twitter i ndërmjetësit në bisedimet mes palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, Miroslav Lajçak, i cili shkruan: „We have a deal!“. Ky mesazh në Twitter është publikuar sot, pas dy ditë negociatash mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit. Në mesazhin e Lajëakut thuhet: “Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditë negociatash intensive, kemi një marrëveshje për de-eskalimin. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”.

Pikat e marrëveshjes së arritur sot janë:

Cani Travel

1. Forcat Speciale që po qëndrojnë në Jarinje dhe Brnjak duhet të largohen, si dhe barrikadat atje, duke filluar nga 2 tetori 2021 në orën 08:00. Largimi duhet të përfundojë jo më larg se ora 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinje dhe Brnjak para fillimit të largimit dhe do të qëndrojë aty për rreth dy javë, në mënyrë që të mbajë dhe sigurojë një ambient të sigurtë dhe të lirë.

2. Nga 4 tetori 2021 në orën 08:00, do të fillojë vendosja e “stikerave-ngjitësve” në target e të dy vendeve, siç është vendosur në dialogun e BE-së, dhe do të mbetet masë e përkohshme deri në një zgjidhje të përhershme.

3. Pritet të formohet një grup punues me përfaqësues nga BE-ja, Prishtina dhe Beogradi, i cili do të gjejë një zgjidhje të përhershme rreth çështjes së targave, i cili bazohet në standardet e BE-së. Takim i parë i grupit punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Gjashtë muaj pas këtij takimi, grupi do të paraqesë rezultatet.

Por Bashkimi Evropian gjatë takimeve ka dëgjuar edhe shqetësimet e ngritura nga pala serbe, lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjatë negociatave të sotme, përfaqësuesi i BE-së mori parasysh shqetësimet e ngritura nga pala e Beogradit në lidhje me moszbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe mungesën e një paneli të shumicës serbe të Kosovës në Gjykatën e Apelit në një rast të fundit. Lehtësuesi u bën thirrje të dyja palëve të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së. Si shumë herë të tjera pas marrëveshjeve në Bruksel, të dy palët e paraqitën këtë marrëveshje si fitore të tyre.