Lansohet Platforma „KosovaDiplo365“

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka lansuar dje platformën digjitale KosovaDiplo365, që synon angazhimin e qytetarëve diplomatë në kudër të Diplomacisë Publike të Kosovës. Platforma KosovaDiplo365 vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Fondacionit Ipko, përfshirë dhe angazhimin direkt të bursistëve të Programit për Diplomaci Qytetare (CDF).

 “Qytetarët tanë janë burimi më i çmueshëm i Republikës sonë, dhe luajnë një rol jetik në transmetimin e kulturës, identitetit, trashëgimisë, sakrificës, historisë, dhe mbi të gjitha ri-ngritjes së Kosovës. Pra, janë pikërisht qytetarët tanë, ata që mundësojnë lidhjen tonë me botën”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Cani Travel

Kryeministri theksoi faktin se Kosova ka një grup në rritje të qytetarëve diplomatë, të cilët kanë marrë thuajse pavetëdijshëm përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit dhe promovimit të Kosovës, duke qenë shembulli më i mirë i qytetarit diplomat.

Në këtë kontekst, ai përmendi emra të njohur nga fusha të ndryshme, si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Blerta Basholli, Dua Lipa, Rita Ora, Ava Max, Petrit Halilaj, të cilët përmes angazhimit të tyre bënë që Kosova të njihet ndërkombëtarisht.

Përmes KosovaDiplo365, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të ndajnë tregimet e arritjeve të tyre me botën, dhe në këtë formë të formësojnë marrëdhëniet e jashtme të Kosovës përmes rrëfimeve të tyre të cilat do të plasohen në baza ditore në platformë.