Bashkatdhetarët që qëndrojnë gjatë verës në Kosovë kanë tani mundësi më të mira për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore dhe arsimore. Mbrëmë (25.07.2023) u bë lansimi i platformës “Shijo Kosovën”, e cila i dedikohet mërgatës dhe synon të ofrojë qasje më të lehtë në aktivitete kulturore e arsimore.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili foli për rëndësinë e kontributit të mërgatës në Kosovë. Ai tha se kontributi i mërgatës së Kosovës ndjehet në të gjithë sektorët e vendit.
Duke iu uruar mirëseardhje mërgitmtarëve, kryeministri tha se „Kosova i pret me krahë të hapur dhe me zemër të mbushur plot dhe se rikthimi i tyre në atdhe, në shtëpitë e tyre e shënon një moment të veçantë, e simbolizon lidhjen e përjetshme midis nesh edhe jush, aq të fortë sa që nuk kemi dy palë por jemi i njëjti popull.“
‘’Si mërgatë, ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vazhdoni të luani sa i përket zhvillimit ekonomik e social, politik e kulturor të Kosovës’’, u shpreh kryeministri.
Platforma “Shijo Kosovën” këtë vit përfshin shumë më shumë aktivitete, partnerë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm dhe ofron programe të ndryshme për njerëz nga diaspora, jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit.