Zviceranja Lara Gut Behrami është emër i njohur në sportin e skijimit. Mirëpo, ajo është e njohur edhe ndër shqiptarët për faktin se është e martuar me futbollistin e njohur nga Kosova, Valon Behrami.
Megjithëse nuk ka gjak shqiptari, Lara Gut Behrami thotë se ndjehet krenare që në familjen e saj fëmijët e bashkëshorti janë shqiptarë.
“Jam krenare që mbaj mbiemrin Behrami. Jam krenare që kam një familje kaq të mirë si kjo e imja, bashkë me Valonin. Sigurisht unë nuk kam gjak shqiptar por fëmijët tanë pa dyshim”, thotë ajo në një intervistë për Top Channel.
Lara Gut Behrami thotë se ka arritur që nëpërmjet sportit të depërtojë në Shqipëri e Kosovë, ndonëse ende nuk ka qenë në këto vende.
“E di që ka shumë shqiptarë që më ndjekin. Vjehrri im ka vëllezërit në Kosovë, Valoni ka kushërinj të tjerë që jetojnë në Prishtinë. Nëpërmjet tyre pak nga sporti i skive sigurisht kur është Olimpiada kam mbërritur në Shqipëri dhe Kosovë”, thekson ajo.
Lara Gut Behrami thotë se nuk ka vizituar ende Shqipërinë dhe Kosovën, por shpreson se këtë do të bëjë së shpejti.
“Nuk kam qenë asnjëherë, por besoj shumë shpejt”, thotë skiatorja Gut Behrami.