Në Gjermani është propozuar legalizimi i blerjes së kanabisit për nevoja personale. Por për legalizimin e plotë duhet të kalohen edhe disa pengesa.
“Qeveria federale u pajtua për pikat kryesore sa i përket konsumit dhe shpërndarjes së kontrolluar të kanabisit për të rriturit, për përdorim rekreativ”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, në një konferencë për shtyp. Ministri i Shëndetësisë tha se përdorimi i kanabisit pritet të “lejohet përmes licencave të lëshuara dhe kontrolluara nga shteti”. Në këtë mënyrë, sipas tij, shteti vendos nën kontroll konsumin dhe trafikimin e kanabisit, i cili nuk guxon t’u shitet perosnave më të ri se 18 vjeç. Personat më të moshuar se 18 vjeç do të lejohen të blejnë dhe posedojnë “20 deri në 30 gramë” kanabis të tharë.
Kanabisi duhet të shitet në barrnatore apo në dyqanet e autorizuara për këtë punë. Opozita e ka kritikuar këtë vendim me fjalët se po legalizohet droga dhe kjo mund të shkaktojë probleme në veçanti tek të rinjtë. Këtë vendim do ta rishikojnë edhe autoritetet evropiane të cilat mund të shpallin se ai nuk është konform ligjeve evropiane dhe si i tillë nuk mund të aplikohet. Ndaj deri në implementimin e këtij ligji duhet të priten edhe këto vendime. Sidoqoftë, nëse kjo lejohet, do të lejohet edhe mbjellja e kanabisit deri në tri bimë por vetëm për përdorim perosnal.