Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është hequr nga agjenda e takimit të sotëm (23.11.2022) të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor. Në kumtesën e Presidencës Çeke të BE-së thuhet se „për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk duket ideale ta kemi këtë pikë në agjendën e trupit të ambasadorëve. Prandaj kemi vendosur ta shtyjmë këtë pikë deri më 30 nëntor.”
Sipas tekstit të vendimit, me të cilin janë pajtuar vendet anëtare në takimin e këshilltarëve për vizat më 22 nëntor, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi së bashku me nisjen e funksionimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Kjo është hera e parë që procesi i vendimit për liberalizimin e vizave të lidhet me dialogun dhe situatën në veri të Kosovës. Deri tani, Bashkimi Evropian ka insistuar që procesi i dialogut dhe ai i liberalizimit të vizave të jenë dy procese të ndara nga njëri-tjetri.