Libri në shqip prezantohet në panairin më të madh në botë

Në Frankfurt të Gjermanisë është hapur sot panairi më i madh në botë i librit, nën moton “RI:LIDHEMI”, pas një viti pushim për shkak të pandemisë Corona. Mysafire nderi e këtij panairi është Kanadaja, ndërsa prezantohen më shumë se 70 vende nga e gjithë bota. Ndër to janë edhe Shqipëria dhe Kosova, të cilat për herë të parë prezantohen së bashku. Prezantimin nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e ka ndihmuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në këtë panair prezentohen botimet e dhjetëra botuesve e qindra autorëve, ndërkohë që të pranishëm fizikisht do të jenë edhe autorë nga Kosova e Shqipëria.

Cani Travel

Ndërsa Kanadaja si mysafire nderi e „Frankfurter Buchmesse 2021“,  do të transformojë panairin me pavijonin dhe programin tërheqës, të cilat do të jenë në dispozicion të pjesëmarrësve për t’u njohur me autorët bashkëkohorë kanadezë dhe veprat e tyre në të gjitha zhanret.

Mysafiri i nderit do të prezantojë autorë me famë botërore si Margaret Atwood, Douglas Coupland, Dany Laferrière, Yann Martel, Alice Munro dhe Michael Ondaatje. Iniciativa do të mbështetet nga institucionet e kulturës gjermane dhe kanadeze.

Kosova bashkë me Shqipërinë prezantohen në sallën 4, ku janë edhe Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Irani e të tjerë. Prezent janë botuesit kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Albas”, “Dija”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe vizitorë. Në stendën e Kosovës do të prezantohen edhe autorë nga Kosova. E ky është edhe një pikëtakim shumë i rëndësishëm edhe për mërgimtarët që jetojnë në Gjermani dhe vendet tjera perëndimore, të cilët duan të njoftohen me publikimet më të reja në shqip, por edhe në gjuhët tjera.