Lindner: Synimi i Putinit nuk është Ukraina, por Evropa

Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën si një mburojë kundër synimeve të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

“Ne po e mbështesim Ukrainën, sepse ajo është vija e parë e mbrojtjes sonë kundër Putinit”, tha Lindner.

Cani Travel

Përmes pushtimit të Ukrainës, që e nisi më 2022, Putini dëshiron “të na sulmojë të gjithëve dhe mënyrën e jetës sonë”, tha Lindner.

Putini nuk dëshiron vetëm ta fshijë Ukrainën nga harta, por t’i ndajë Evropë dhe NATO-n dhe të sigurohet që Shtetet e Bashkuara të largohen nga Evropa, sipas tij.

“Synimi i Putinit nuk është Ukraina. Synimi i Putinit është të jetë në gjendje të ushtrojë pushtet mbi neve. Ai nuk duhet të ketë sukses në këtë kurrë”, theksoi ministri gjerman.

Për këtë arsye, tha ai, Gjermania duhet t’i përmirësojë patjetër aftësitë mbrojtëse për ta mbrojtur veten dhe aleatët e vet.