19-vjeçari nga Zvicra, Lorent Berisha ia doli mbrëmë (01.04.2022) të hyjë në top dhjetëshen e garës në këndim “Deutschland sucht den Superstar” (Gjermania kërkon super-star ose DSDS). Ai shpreson që të jetë edhe fitues i spektaklit. “Fakti që hyra në top dhjetëshen më bën jashtëzakonisht krenar. Muzika është pasioni im i madh, të cilin askush nuk mund ta marrë nga unë”, tha ai për media pas përfundimit të garës së mbrëmshme. Ai interpretoi mbrëmë këngës „Now or Never“ nga Mark Medlock dhe u mirëprit nga juria e DSDS.
Lorent Berisha është me origjinë shqiptare, i lindur në Lucern të Zvicrës. Ai ndodhet momentalisht në Këln dhe është duke u përgatitur për paraqitjen e tij të madhe live për finale. “Unë jam një perfeksionist, prandaj do të përdor çdo sekondë për të optimizuar performancën time”, thotë ai në një intervistë për portalin zviceran ‚20 minuten’.
Në skenën e madhe Lorenti dëshiron të frymëzojë me emocione, një spektakël efektiv dhe, mbi të gjitha, me zërin e tij të ngrohtë. Lorenti thotë se nëse kalon vërtet në raundin tjetër, ai dëshiron të festojë siç duhet me familjen, miqtë dhe pjesëmarrësit e tjerë – por nuk duhet ta teprojë, sepse duhet ta ruajë zërin për shfaqjen e radhës. “ Muzika është pasioni im i madh“, thotë këngëtari me prejardhje shqiptare, Lorent Berisha.