Të paktën tetë fëmijë dhe një rojtar janë vrarë sot (03.05.2023) nga të shtënat në shkollën fillore „Vladislav Ribnikar“ në Beograd, konfirmoi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Gjashtë fëmijë të tjerë u plagosën dhe aktualisht gjenden në Qendrën Emergjente. I mituri K. K. (14) i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër është nxënës i kësaj shkolle. Ai është gjetur dhe arrestuar në oborrin e shkollës. Mediat serbe bëjnë të ditur se është vrarë edhe një mësuese e kësaj shkolle, por kjo akoma nuk është konfirmuar.
Nxënësi i dyshuar për këtë krim ka hyrë në shkollë sot rreth orës 8 të mëngjesit dhe ka vrarë nëntë persona. Fillimisht, ai vrau rojtarin e shkollës dhe më pas zbriti në korridor për të vazhduar të qëlloj. Pastaj, ai hyri në kabinetin e historisë dhe qëlloi nxënësit dhe mësuesen.
„Të gjitha forcat policore janë ende në terren, ku janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave që kanë shkaktuar këtë tragjedi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshmë të Serbisë.