Në Maqedoninë e Veriut sot mbahen zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.
Në garë për president të ri të vendit janë dy kandidatë – fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova (VMRO-DPMNE) që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski (koalicioni i LSDM), me 180 mijë vota.
Zgjedhjet e sotme do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të duhet t’i sigurojë 61 votat e nevojshme. VMRO-DPMNE, partia e udhëhequr nga Hristjan Mickoski është favorite në sondazhe.
Një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e sotme do të kenë partitë e shqiptarëve. BDI-ja e Ali Ahmetit, partia më e madhe e shqiptarëve në RMV, publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat për president apo do të bëjë ftesë për bojkot.
Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga Talat Xhaferi i BDI-së, i cili është bërë shqiptari i parë që e mori këtë detyrë.