Mbi 213 mijë shtetas të Shqipërisë morën shtetësinë e një vendi të BE-së në pesë vjet

Rreth 50 mijë shtetas shqiptarë morën nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2022, duke u renditur të tretët në Evropë pas marokenëve dhe sirianëve, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia Evropiane e Statistikave EUROSTAT dhe Rrjetit Evropian për Migrimin.

Dy vendet fqinje me Shqipërinë, të njohura tri dekadat e fundit dhe për emigrimin e lartë të shqiptarëve , Italia dhe Greqia janë kryesoret në Europë për numrin e lartë të lëshimit të nështetësive për shtetasit shqiptarë.

Cani Travel

Ndërsa referuar të dhënave të EUROSTAT-it, për pesë vjetët e fundit mbi 213 mijë shqiptarë fituan shtetësinë një vend të Bashkimit Europian.

Sipas raportit vjetor mbi migrimin dhe azilin në Evropë, 6920 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil gjatë vitit 2023 në një vend të Bashkimit Europian.

Shqiptarët kryesojnë në vitin 2023 listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nga numri i azilkërkuesve në Evropë dhe renditen edhe të pestët në Evropë pas turqve, gjeorgjianëve, rusëve dhe ukrainasve.

Ndërkohë, sipas raportit shtetasit shqiptarë renditen të dytët në Evropë pas ukrainasve për nga numri i refuzimeve të hyrjes në një vend të Bashkimit Evropian gjatë vitit 2023.

(VOA)