Mbi pesë milionë të vdekur nga virusi Corona

Që nga fillimi i pandemisë Corona kanë vdekur në mbarë botën më shumë se pesë milionë njerëz, si pasojë e infektimit me këtë virus apo nga sëmundjet që ndërlidhen me te.

Kjo bazohet në të dhënat e fundit nga Universiteti Amerikan John Hopkins (JHU) në Baltimore. Brenda katër muajve të fundit nga ky virus kanë vdekur një milion njerëz.

Cani Travel

Sipas JHU, numri i infeksioneve të regjistruara SARS-CoV-2 ka kaluar shifrën prej 247 milionë. Por ekspertët thonë se numri i të infektuarve është shumë më i madh, sespe shumë raste nuk janë raportuar. Faqja e internetit e universitetit përditësohet rregullisht, ndaj të dhënat e këtij Universtiteti janë gjithmonë pak më të larta se ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Gjendja në Gjermani

Në Gjermani janë regjistruar deri tani 95.752 raste të vdekjeve nga Corona, njoftoi Instituti Robert Koch (RKI) të hënën në mëngjes. Incidenca shtatëditore, sipas RKI, është 154.8 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Vetëm një javë më parë incidenca ishte rreth 110. Në Gjermani deri tani janë lajmëruar 4.6 milionë teste pozitive ndaj virusit Corona, por edhe këtu mendohet se numri i të infektuarve është shumë më i lartë.

Pas rritjeve të shpejta të shifrave të të infektuarve, ministri federal i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn (CDU) ka kërkuar rihapjen e qendrave të vaksinimit në lande. Kjo është e nevojshme „për të arritur sa më shpejt një numër sa më të madh të vaksinave përforcuese (vaksina e treta)“, theksoi Spahn. Ai dëshiron të ofrojë të ashtuquajturat vaksina përforcuese për të gjithë qytetarët në Gjermani, gjë që ka shkaktuar kritika të ashpra tek ekspertët e mjekësisë në Gjermani.