Mediat e Kosovës: Serbia ka planifikuar atentat ndaj Kurtit në Shkup

Mediat e Kosovës njoftojnë se Kryeministri Albin Kurti është kërcënuar me vrasje gjatë qëndrimit të tij të sotëm në Shkup. Edhe vetë kryeministri Kurti e ka konfirmuar se ka pasur kërcënime ndaj tij gjatë qëndrimit në Shkup. Sipas tij, kërcënimet kanë ardhur “nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”.

“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me këto partitë socialdemokrate”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Cani Travel

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për Radio Televizionin e Kosovës, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup.

“Sipas analizave, sulmi ka mundur të duket sikur sporadik, gjoja nga ekstremi i djathte serbo-maqedonas”, thekson burimi i RTK-së.

“Informacioni ka ardhur si inteligjencë në disa burime, si nga burimet e fshehta njerëzore, ashtu edhe nga burime të hapura, siç janë kanalet serbe në platformën ruse telegram. Njëri kanal “KORIDOR” i takon organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, kurse tjetri “BUNT” i takon ekstremit të djathtë serb. Që të dyja, kontrollohen nga shërbimet e inteligjencës serbe”, thekson burimi.

Sipas tij, institucionet e sigurisë në vazhdimësi i kanë marrë seriozisht kërcënimet që vijnë nga rrjete të veçanta sociale, gjë që është dëshmuar edhe me sulmin terrorist në Banjskë, ku qe paralajmëruar sulmi që u bë me 24 shtator 2023.

“Plani serb është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku me pas, do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve”, bënë të ditur burimi i RTK-së.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar për mediat në Kosovë pas kërcënimit për eliminimin fizik të Albin Kurtit, duke thënë se ato kanë lidhje me Beogradin. Kryeziu theksoi se në Beograd ka nervozizëm pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe janë shtuar kërcënimet dhe agresiviteti ndaj kryeministrit.