Numri i infektimeve në Gjermani ka kaluar shifrën prej 50.000 në ditë. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel paralajmëron personat që nuk janë vaksinuar.
Gjendja me pandeminë është acaruar shumë javët e fundit në Gjermani. Janë rritur mbi 50.000 shifrat e infektimeve ditore, ndërsa rreth 250 kanë vdekur brenda 24 orësh. E numri i personave që nuk duan të vaksinohen edhe më tej është rreth 30%. Kancelarja në detyrë Angela Merkel tha se personat që nuk janë vaksinuar duhet të kuptojnë se ata duhet të kujdesen edhe për shëndetin e të tjerëve dhe jo vetëm për veten.
Gjatë fjalimit në një samit për biznes, e ftuar nga kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, Angela Merkel tha se është detyrë e politikanëve që t’i krijojnë mundësitë për ndërhyrje serioze duke qenë të sinqertë me publikun.
“Duhet ta bëjmë të qartë se unë e kam të drejtën për t’u vaksinuar dhe ky është fat i madh, arritje e madhe e shkencës dhe teknologjisë, por unë gjithashtu kam një obligim të qartë për të kontribuuar në mbrojtjen e shoqërisë”, theksoi kancelarja në detyrë.
Merkeli tha se sfidat e pandemisë dhe të ndryshimeve klimatike janë të ngjashme, sepse ato të dyja janë procese eksponenciale, ashpërsia e të cilave është vështirë të njihet në fillimin e rritjes.
“Kur e shihni fillimin e një rritjeje eksponenciale, filloni të veproni menjëherë dhe të kuptuarit e rritjes eksponenciale nuk është i përhapur shumë në shoqëritë tona”, nënvizoi Angela Merkel.
“Kjo është arsyeja pse ne gjithashtu kemi qenë aq të pashqetësuar për ndryshimet klimatike, që gjithashtu kanë rritje eksponenciale dhe ne duhet të veprojmë me kohë, kur nuk është aspak e dukshme se si do të rriten numrat”, tha Merkel.