MPJD: Kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve për lirimin e kosovarit të arrestuar në Serbi

Arrestimi i ish ushtarëve të UCK-së, Xhavit Daka dhe Hasan Daka në Merdare nga ana e autoriteteve të Serbisë, shkaktoi reagime të ashpëra në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.

Cani Travel

Përmes një njoftimi për media, MPJD bëri të ditur se autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy qytetarë të Kosovës, ish-ushtarin e UÇK-së Hasan Daka dhe Xhavit Daka.

MPDJ deklaron se Xhavit Daka është liruar, ndërsa shton se se për këtë çështje kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e SHBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe që udhëheqësi i kësaj zyreje, Jetish Jashari, të mund të vizitojë Hasan Dakën dhe të njoftohet për trajtimin që po i bëhet nga organet serbe.

“Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, thuhet në njoftim.

Edhe sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka komentuar arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së në Merdar, Hasan Dakaj.

Haxholli në një postim në Facebook, ka shkruar se Serbia nuk arreston, por kidnapon.

„Serbia nuk arreston, Serbia kidnapon. Serbia nuk gjykon, Serbia persekuton. Serbia gënjen, Serbia monton. Serbia vret, Serbia kriminalizon. Të jemi të qartë, në kontekst të së drejtës së aplikuar dhe praktikave ndërkombëtare, statusi i Hasan Dakaj, i Nezir Mehmetit, dhe i kujtdo që ndalohet dhe arrestohet në Serbi, cilësohet si kidnapim. Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur kurrë, nuk do të ketë asnjëherë”, ka shkruar ai.