Irani filloi mbrëmë (13.04.2024) një sulm me dronë në drejtim të Izraelit.
Shumë vende te botës kanë dënuar këtë sulm.
Lidhur me situatën e krijuar atje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila kërkoi nga qytetarët e Kosovës që gjenden në Izrael që t’i zbatojnë udhëzimet e sigurisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael si edhe me të gjithë qytetarët e Kosovës, në Izrael. U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”, thuhet në reagim.
Ministria shton tutje se për çdo nevojë të mundshme ftohen të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael: +972 58-634- 0450.
Ushtria izraelite bëri të ditur të dielën se “99%” e më shumë se 300 predhave të gjuajtura në Izrael nga Irani “u kapën”.
Vetëm “një numër i vogël” raketash balistike arritën në territorin e vendit, tha zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, ushtaraku Daniel Hagari, shkruajnë mediat e huaja.