Fund i lumtur i një kërkimi disa javor në xhunglën kolumbiane: Katër javë pas rrëzimit të një avioni në xhungël fëmijët e humbur janë gjetur gjallë. „Një gëzim për të gjithë vendin“, shkroi presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro në shërbimin twitter. „Katër fëmijët që humbën para 40 ditësh në xhunglën kolumbiane u gjetën gjallë.“ Ai publikoi një foto me ushtarët dhe indigjenët, që ndihmuan në kërkimin e fëmijëve indigjenë në moshën 11 muajshe, katër, nëntë dhe 13 vjeç. „Ata janë në gjendje të dobët, por le t’i lemë mjekët të bëjnë ekzaminimet“, tha Petro para gazetarëve. Sipas të dhënave të ushtrisë fëmijët u gjetën rreth 5 kilometra në perëndim të vendit ku u rrëzua avioni.
„Po fëmijët u gjetën“, konfirmoi gjyshi i tyre, Fidencio Valencia për agjencinë AFP. „Dua thjesht t’i shoh dhe t’i prek“, tha ai i prekur. Gjyshja Fatima Valencia e lidhi mbijetesën e fëmijëve me „natyrën luftarake“ të 13 vjeçares Lesley.
Më 1 maj një avion i vogël i tipit Cessna 206 u rrëzua në pyllin e Amazonës në jug të Kolumbisë. Më 15 dhe 16 maj në avionin e rrëzuar u gjendën kufomat e tre të rriturve. Bëhej fjalë për pilotin, një drejtues indigjen dhe nënën e fëmijëve të humbur, Magdalena Mucutui Valencia. Me shpresën e gjetjes së fëmijëve në Kolumbi filloi një aksion i gjerë kërkimi i ushtrisë me 160 ushtarë dhe 70 indigjenë. Fëmijët i përkisnin fisit Huitoto ose Vitoto, që janë të familjarizuar me xhunglën. Ata mësojnë herët të notojnë, të kapin peshq dhe të mbledhin bimë të ngrënshme. „Ata ia kanë dalë më forcën e vet“, tha presidenti Petro. Ky është shembull për mbiejetesën që do të hyjë në histori.