„Heroinat e heshtura – gratë shqiptare ndërmjet traditës dhe vetëvendosjes“. Kjo ishte tema e takimit që u mbajt mbrëmë më 08. maj 2022, në Këln, në organizimin e shoqatës URACult, të cilën e drejton Ali Salihu, njofton Diaspora Today.
Në këtë takim u prezantua edhe libri i ri i shkrimtares dhe gazetares Dr. Lindita Arapi „Të murosurat“. Në sallën gati të mbushur, më pas pati edhe një diskutim lidhur me librin, rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe sfidat e emancipimit. Moderatore e debatit ishte Adelheid Feilcke, drejtuesja e redaksisë Europa në Deutsche Welle.
Ndërsa pjesëmarrës në debat ishin edhe Elda Sorra, Safedin Rreci dhe Zana Niedermeyer. Por edhe pjesëmarrësit në publik patën rastin të shtrojnë pyetje dhe të diskutojnë. Në pjesën muzikore të programit pati disa interpretime shumë të mira të Jola Shkodranit (violonçel) dhe Mirela Zhulalit (piano). Por edhe ky debat tregoi se kjo çështje është një fushe e pashterrshme, në veçanti në shoqërinë shqiptare, ku ende ka nevojë për debate të shumta jo vetëm për pozitën e gruas në familje dhe shoqëri, por edhe për identitetin e njerëzve që jetojnë jashtë, rolin e fesë, të arritura kulturore dhe dallimet mes vendeve të origjinës…