Në Mynih të Gjermanisë është nënshkruar sot me 1. nëntor një marrëveshje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë. Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të takimit zyrtar mes Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrit të Kulturës të Bavarisë, Markus Blume, më qëllim fuqizimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Gjermanisë. Ndërsa dokumentin e marrëveshjes nënshkruan Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe Klaus Ceynowa, drejtor i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.
Konsullata në Mynih njofton se ky bashkëpunim synon partneritet në fushat shkencore, profesionale, të digjitalizimit dhe të veprimtarive kulturore mes dy institucioneve. Po ashtu synohet edhe shkëmbimi i të dhënave bibliografike, mbështetja për hulumtuesit shkencorë, bashkëpunimi në zhvillimin dhe implementimi i projekteve shkencore, informacione rreth botimeve, shkëmbimi i ekspertizës dhe përvojës shkencore, organizimi i ngjarjeve të përbashkëta si konferenca shkencore, seminare dhe ekspozita etj.