Nëntë atletë përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Verore 2024

Kosovën do të përfaqësojnë nëntë atletë në katër sporte të ndryshme në Lojërat Olimpike Verore Parisi 2024, të cilat do të mbahen prej 26 korrikut deri më 11 gusht në kryeqytetin francez.

Në ekipin olimpik të Kosovës mbizotërojnë sportistët e xhudos si zakonisht, pasi pesë xhudistë janë pjesë e ekipit, njoftoi Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Cani Travel

Është interesante se në ekipin kosovar janë 8 femra dhe vetëm një burrë.

Listës i prijnë kampionet olimpike, xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pastaj tre xhudistët tjerë, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka.

Sportistët e tjerë që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris janë: Donjeta Sadiku në boks, Gresa Bakraqi në atletikë, dhe Hana Beiqi dhe Adell Saboviq në not.

Kjo është Olimpiada e tretë radhazi që Kosova synon të fitojë medalje të artë, pas debutimit historik të Majlinda Kelmendit në Rio 2016 në Brazil, kur u shpall kampione olimpike dhe medaljeve të arta të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës në Tokio 2020.

Suksesi më i madh i sportistëve kosovarë në Olimpiadë është pikërisht fitimi i tri medaljeve të arta në xhudo.  Krasniqi, Kelmendi dhe Gjakova, janë atletet e vetme, qoftë në sportin e grave apo burrave, që kanë fituar medalje të arta olimpike në historinë e sportit kosovar.