Më 3 prill 2023 në Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës në Kosovë, në Hagë fillon gjykimi i katër komandantëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë proces do të nxjerrë 312 dëshmitarë.
Hashim Thaçi ishte lider politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së Kosovës 1998/99, deri në shpërbërjen e saj. Kadri Veseli ishte shef i inteligjencës së UÇK-së, Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së ndërsa Rexhep Selimi ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Aktakuza përfshin pretendime për privim të paligjshëm të lirisë, keqtrajtim, torturë dhe vrasje, krime kundër njerëzimit dhe zhdukje me forcë dhe persekutim. Në aktakuzë thuhet se këto krime kanë ndodhur midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999. Lufta në Kosovë ka përfunduar praktikisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe vendimin për tërheqjen pa kushte të trupave serbe nga Kosova. „Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë“ është nënshkrar me datën 9 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s kundër forcave serbe, që asokohe kishin nisur një fushatë të gjërë spastrimi të Kosovës. Sipas disa burimeve forcat serbe kanë vrarë në Kosovë mbi 12.000 dhe kanë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre rreth 800.000 shqiptarë. Për këto krime ka pasur disa gjykime dhe denime në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi në Hagë.
Për çfarë ngarkohen ish-komandantët e UÇK-së?
Sipas aktakuzës së Gjykatës Speciale, krimet ku pretendohet të jenë përfshirë edhe ish-krerët e UÇK mendohet se janë kryer në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë, në Kukës dhe Cahan. Autorët e këtyre krimeve thuhet të jenë pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa viktima ishin qindra civilë dhe njerëz që nuk donin të merrnin pjesë aktive në luftime.
„Grupi i viktimave përfshin njerëz që shiheshin si kundërshtarë nga UÇK-ja dhe më vonë nga qeveria tranzitore e Kosovës, duke përfshirë serbët, romët dhe katolikët – njerëz të cilët dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me autoritetet serbe ose ishin në kontakt me serbët”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Dhomës së Posaçme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbajnë përgjegjësi personale penale për krimet e përshkruara në aktakuzë. Të akuzuarit i kanë mohur në paraqitjet e deritanishme të gjitha këto pohime të prokurorisë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të „organizatës së përbashkët kriminale“ për ndjekjen e „qëllimit të përbashkët për të fituar kontrollin e plotë të Kosovës me çdo mjet të nevojshëm“, kanë bërë këto krime midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999. Në aktakuzë po ashtu thuhet se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi personalisht kanë marrë pjesë në kërcënime, marrje në pyetje, keqpërdorime dhe arrestime të kundërshtarëve. Prokurorët thanë se ata kanë siguruar dhe do të paraqesin gjatë procesit të gjykimit rreth 56.000 dokumente, të cilat ia kanë dorëzuar edhe mbrojtjes. Tre javë më parë u publikuan për herë të parë emrat e disa prej viktimave që besohet se janë vrarë apo rrëmbyer me forcë dhe për të cilët akuzohen Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi.
Argumentimet e palës mbrojtëse?
Avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së, i mohojnë të gjitha akuzat, duke argumentuar se „UÇK nuk do të kishte marrë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare“ po të kishte, siç pretendon prokuroria, qëllime kriminale.
„Vendimi i Prokurorisë së Gjykatës Speciale për ta konsideruar UÇK-në organizatë kriminale do të thotë se mbështetja ndërkombëtare që UÇK-ja ka marrë nga partnerët e saj si SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania do të ishte përkrahëse e një plani kriminal të sulmeve sistematike në shkallë të gjerë kundër një popullate civile. Kjo definitivisht nuk ishte kështu! Nuk kishte plan të përbashkët kriminal nga UÇK-ja. Ndryshe, bashkësia ndërkombëtare nuk do ta kishte mbështetur kurrë këtë“, thuhet në një deklaratë nga mbrojtësit e Thaçit. Ata besojnë se aktakuza bazohet në një keqlexim të fragmentuar dhe selektiv të incidenteve.
Ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit, i cili ka shkuar vullnetarisht në Hagë nga posti i presidentit të vendit, ka njoftuar se do të thërrasë si dëshmitarë figura të njohura politike ndërkombëtare, duke përfshirë Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner, Daan Everts, Michael Durkee, Jock Covey dhe Steve Bennett. „Dëshmitarët gjatë periudhës në fjalë të mbuluar nga aktakuza ishin diplomatë të lartë ndërkombëtarë, zyrtarë të lartë të NATO-s, OSBE-së, OKB-së dhe UNMIK-ut si dhe Misionit Verifikues të Kosovës. Ata të gjithë kanë pasur kontakte dhe bisedime të shpeshta me Hashim Thaçin në kohën për të cilën pretendohet se janë bërë krime. Ata kishin takime dhe bisedime me Thaçin edhe në nivel personal”, thuhet në deklaratën e mbrojtjes.
Nga mbrojtësit gjatë procesit përgatitor janë dëgjuar edhe ankesa se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë argument për trafikim organesh të serbëve, që ishte edhe një nga argumentet për themelimin e Gjykatës. Kjo Gjykatë është themeluar pas pohimeve në raportin e ish-eurodeputetit nga Zvicra Dick Marty, se pjesëtarët e UÇK dhe krerët e ish-UÇK janë të përfshirë në trafikim organesh të serbëve. Në aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk ka asnjë akuzë për trafikim organesh. Ndërsa Dick Marty vitin e kaluar pohonte se „është i rrezikuar nga vrasja e mundshme e shërbimeve serbe“.
Çfarë është Gjykata Speciale për Kosovën?
Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë është themeluar në gusht të vitit 2015 me vendim të Kuvendit të Kosovës. Në kohën e themelimit të saj u vendos që selia e Gjykatës të zhvendoset në Hagë me shpjegimin se „dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar nëse gjykimet do të zhvillohen në Kosovë“. Shpenzimet e gjykatës paguhen nga BE-ja.
Titulli zyrtar i kësaj gjykate është „Dhomat e Posaçme dhe Prokuroria Speciale e Kosovës”. Kryetare e dhomës është Ekaterina Trendafilova, kryetar i prokurorisë speciale është Alex Whiting. Gjykata ka gjithashtu një njësi mbrojtëse që siguron mbrojtjen e viktimave.
Pse u themelu kjo Gjykatë?
Ideja e krijimit të Gjykatës Speciale erdhi pasi Këshilli i Evropës miratoi një rezolutë që i bën thirrje Kosovës të hetojë akuzat e bëra nga europarlamentari zviceran Dick Marty, i cili në raportin e tij të miratuar në KE akuzoi anëtarët dhe krerët e UÇK-së për krime lufte dhe trafikim organesh. Ky raport është paraqitur dhe miratuar në KE në vitin 2010. Akuzat për trafik organesh nuk janë vërtetuar ende. Ato nuk janë as pjesë e aktakuzës aktuale.
Gjykata Speciale është themeluar nga Kuvendi i Kosovës dhe nuk ka lidhje me ish-Tribunalin Ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi. Në këtë Tribunal janë mbajtuar edhe dy procese gjyqësore kundër ish-komandantëve të UÇK-së, ku ndër tjerësh ishin edhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët janë shpallur të pafajshëm në të gjitha instancat.
Dimensioni politik i Gjykatës Speciale
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka pasur përplasje të përsëritura ndërmjet përfaqësuesve të PDK-së (Partisë Demokratike të Kosovës) të themeluar nga Hashim Thaçi dhe LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Ish-lideri i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka thënë – pa përmendur emra konkret – se anëtarët e partisë së tij kanë qenë viktima e akteve të hakmarrjes për shkak të pozitës së tyre politike gjatë dhe pas luftës së Kosovës.
Për shkak se ka pasur spekulime të përsëritura për krime të mundshme pas luftës, ishte vetë Hashim Thaçi që kërkoi nga Parlamenti i Kosovës ngritjen e një gjykate speciale për të zbardhur të gjitha akuzat nga raporti i Dick Marty por edhe fajësimet e tjera. Në shpjegimet e mëvonshme thuhej se Gjykata Speciale është themeluar nën presion, sepse po të mos themelohej nga Parlamenti i Kosovës do të themelohej nga autoritetet e OKB-së.
Sidoqoftë që nga themelimi i Gjykatës Speciale, në Hagë janë dërguaredhe persona të tjerë që akuzohen për krime lufte. Deri tani për krime lufte është denuar vetëm ish-komandanti rajonal i UÇK-së, Salih Mustafa. Ai është dënuar me 26 vjet burg.
Në vlerësimet e para thuhet se procesi kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit do të zgjasë me vite të tëra. Nga prokuroria thonë se vetëm atyre do t’u duhen diku rreth dy vjet për paraqitjen e dëshmive dhe dëshmitarëve të tyre.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë dërguar në Hagë para më shumë se dy vitesh. Ata thonë se në Hagë kanë shkuar „për të dëshmuar pafajësinë personale dhe për të hequr njollosjet e luftës së drejtë të UÇK-së“. DW