Petrit Halilaj, artisti kosovar që jeton në Berlin, vazhdon të prezantojë projektet e tij të suksesshme nëpër botë.
Instalacioni skulpturor i Halilajt “ABETARE” është inauguruar ditë më parë në tarracën e çatisë së Muzeut Metropolitan të Artit në New York.
Veprat e tij që prezantohet si artist kosovar, shpërfaqin përjetimet dhe ëndrrat e nxënësve të ilustruara në bankat e shkollës.
Ministëri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka thënë se Halilaj përtej arritjes individuale të tij, ka bërë një arritje të madhe edhe në fushën e diplomacisë publike.
Po ashtu ministri ka thënë se artisti Petrit Halilaj ka arritur që përmes artit të sjell një pjesë historie të Kosovës në mesin e komunitetit më prestigjioz artistik të New Yorkut, duke bërë secilin prej nesh krenar për të dhe Kosovën njëkohësisht.
“Përtej arritjes individuale të tij, kjo është një arritje e madhe në fushën e diplomacisë publike. Petriti u bë shqiptari i parë nga Kosova që prezanton veprën e tij në The MET, duke hapur rrugën e promovimit e prezantimit të artit e Kosovës para publikut e artdashësve amerikan e më gjerë”, ka shkruar Çeku në Facebook.