Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga 1 korriku do të fillojë të subvencionohet polica kufitare për mërgatën.
“Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka shkruar ministri në një postim në Facebook.
Ai ka bërë të ditur se duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin polisën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.
Polisa e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
“Në subvencionim nuk përfshihen polisat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, polisat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi“, ka njoftuar Murati.