Aeroporti i Prishtinës, “Adem Jashari”, njofton se ka përmbyllur një vit të suksesshëm me një numër rekord udhëtarësh, si asnjëherë më parë.
Bëhet e ditur se një numër prej 3 milionë udhëtarësh ishte arritur në muajin nëntor për të shënuar më pas 3.424.883 udhëtarë në fundvit, apo një rritje prej 14,37 % krahasuar me vitin paraprak dhe 23 278 fluturime apo 7.5% më shumë se sa në vitin 2022.
“Numri i udhëtarëve dhe fluturimeve vazhdon me një trend të rritjes ku në muajin janar 2024 janë shërbyer 287 205 udhëtarë apo 21.9 % më shumë se sa në muajin Janar 2023 dhe 996 fluturime apo 23.3% më shumë krahasuar me Janar 2023. Muaji Janar 2023 kishte 235 576 udhëtarë dhe 808 fluturime te shërbyera”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Aeroportit të Prishtinës.
Kjo rritje e jashtëzakonshme thekson përkushtimin e aeroportit për të ofruar përvoja të reja për udhëtarët e saj duke qenë të orientuar edhe në shtimin e destinacioneve apo rritjen e fluturimeve në destinacionet ekzistuese në vitin 2024.
Gjithashtu bëhet e ditur se për të përmbushur kërkesat e udhëtarëve Aeroporti i Prishtinës këtë vit ka shtuar destinacionet e reja Luxembourg, Riga, Izmir, Heraklion, Halmstad etj.