Në 1-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë një epokë të re evropiane. Borrell iu bëri thirrje të dy palëve t’u japin fund krizave the tensioneve.
Vitin e kaluar më 18 mars Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut me aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por sipas Josep Borrell zbatimi deri tani ka qenë i kufizuar. „BE rikujtoi vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar, prandaj, çdo mungesë zbatimi jo vetëm që rrezikon integrimin evropian të palëve, por dëmton edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm. Është koha e fundit që edhe Kosova edhe Serbia të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve, dhe të kalojnë në një epokë të re evropiane. Marrëveshja ofron një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë dhe të gjithë rajonit”, shkroi Borrell.
Në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje normalizimi. Kjo marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, ku përfshihen njohja e dokumenteve dhe simboleve dhe respektim i sovranitetit dhe tërësisë tokësore të dy vendeve. Po ashtu marrëveshja parasheh që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
„Në kohën e një lufte të pashembullt në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, qëndrueshmëri dhe marrëdhënie të mira fqinjësore ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, palët u pajtuan për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian”, shkroi shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.
(DW)