Partia kombëtare konservatore AKP e udhëhequr nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale në Turqi.
Partia më e madhe opozitare, CHP (Partia Popullore Republikane) mbrojti postet e saj të kryebashkiakut në metropolet e Stambollit dhe Ankarasë të dielën dhe pushtoi edhe disa qytete të tjera.
Erdogan pranoi mbrëmë humbjen, por shtoi se ky nuk është fundi, por një pikë kthese për aleancën e tij.
Kundërshtari i Erdogan dhe kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu tha se „besimi që qytetarët tanë kanë ndaj nesh, u vërtetua“.
Analistët vlerësojnë se presidenti Erdogan dhe partia e tij AKP, që kanë sunduar Turqinë për më shumë se dy dekada, dolën më keq se sa parashikonin anketat, për shkak të rritjes së inflacionit, votuesve të pakënaqur islamikë dhe në Stamboll, shtrirjes së ndikimit të zotit Imamoglu përtej bazës laike të CHP-së.